Ronaldo, Pepe apo Rui Patricio, cili u shpall mbrëmë Lojtari i Vitit?

Sport

retw5wq

Mbrëmjen e së hënës në Portugali u mbajt ceremonia e vlerësimeve të vitit për sa i përket futbollit dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Cristiano Ronaldo ishte ai i cili u shpall si “Lojtari i Vitit”. Sulmuesi i Realit të Madridit ishte në garë me portierin Rui Patricio dhe me shokun e tij të skuadrës, qendërmbrojtësin Pepe. Në ceremoninë e mbajtur në Estoril, 31-vjecari nga Madeira mori vlerësime unanime duke mbetur sërish lojtari më i mirë në Portugali. Ronaldo, i cili u vlerësua këtë sezon edhe me çmimin e Topit të Artë, i shtoi kështu një tjetër vlerësim CV-së së tij. Edhe pse së fundmi nuk ka pasur një rendiment të kënaqshëm, madje edhe me plot kritika për disa sjellje në fushë dhe kundrejt tifozëve, portugezi u shfaq modest teksa tërhiqte cmimin. “Dua të falenderoj shokët e mi të skuadrës, si te Reali i Madridit ashtu edhe në kombëtare. Po kështu dua të falenderoj trajnerët, stafet dhe mbi të gjitha tifozët portugezë që kanë qenë dhe mbeten shtysa më e madhe për mua” – tha Ronaldo. 31-vjecari ka shënuar 26 gola dhe 11 asiste në 34 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon. Shifrat mbeten fantastike, por larg formës së viteve të fundit. Rivali i tij, Messi, ka qenë shumë më lart megjithëse ka ndryshuar pozicionim në fushë nga Luis Enrique. Si një mesfushor pas sulmuesve, ai ka shënuar 41 gola në 40 ndeshje, duke kontribuuar edhe me 15 asiste. Por sidoqoftë Ronaldo mbetet një nga elementët kryesor të Realit të Zidane, dhe objektivi, sikurse tha ai, përtej sukseseve personale, është arritja e një tjetër suksesi në Evropë dhe La Liga.