Rrahmani është gati për sfidat me “kollosët”

Sport

Të martën me Kosovën përballë Harry Kane’, si stërvitje e domosdoshme për atë që e pret nga fundjava në Serinë A. Tashmë, për Amir Rrahmanin dhe Veronën nisin duelet me “big”-ët e kampionatit italian. Së pari, të dielën Milani i Piontek dhe Suso, kurse në të shtunën pasardhëse, Juventusi i Cristiano Ronaldos. Prandaj, mbrojtësi i Kosovës ka nisur të përveshë mëngët, duke parë punën e vështirë që e pret. Megjithatë, ai nuk ka frikë nga asgjë. E madje as nga tersi. Mjafton të vëresh se prej vitesh luan me fanelën numër 13. “Duhet të markoj Cristiano Ronaldon pas 10 ditësh, por jam gati për një sfidë të tillë. Kam përjetuar eksperienca të ngjashme në Europa League si dhe me Kombëtaren”, është shprehur ish-mbrojtësi i Partizanit në Kategorinë Superiore.

Por që ka luajtur edhe me Kombëtaren shqiptare, atëherë kur trajner ishte Gianni De Biasi, i cili i pyetur për kosovarin e Veronës, ka treguar se dallohet mbi të gjitha për forcën fizike dhe për aftësinë për të dalë mirë në sulm me topin ndër këmbë. Verona e mori nga Dinamo e Zagrebit për 2.1 milionë euro, duke qenë pikërisht ai blerja e parë verore e Hellasit, ku ka firmosur një kontratë 4-vjecare. Tashmë menjëherë është shndërruar në një pikë fikse e prapavijës veronese, duke mahnitur që në stërvitjet e para trajnerin Juriç, i cili i ka besuar çelësat e mbrojtjes, bashkë me 19-vjecarin e përfaqësueses së Shqipërisë, Marash Kumbulla. Sidoqoftë, pas 2 ndeshjeve të para tepër pozitive me Bolonjën dhe Lecen, tani duhet të tregojë veten direkt ndaj kollosëve të Serisë A.