Ruslan Malinovskyi largohet zyrtarisht nga Atalanta

Sport

Ruslan Malinovskyi është zyrtarisht një lojtar i Olimpique Marseille. Deri në fund të sezonit, mesfushori do jetë pjesë e klubit francez në formën e huazimit, ndërsa më pas Marseille e ka detyrim që të blejë me çdo kusht kartonin e tij.

Ky operacion do kompletohet për shifrën totale të 13 mln eurove, që do shkojnë në arkat e klubit nga Bergamo. Disi i befasishëm ky largim i ukrainasit nga skuadra italiane, e për më tepër në merkaton e janarit. Duke marrë parasysh që Atalanta nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, padyshim që një lojtar si Malinovskyi do të ishte gjithmonë një element më tepër për ta për të synuar vendet e sipërme të tabelës, sikurse ka ndodhur përgjatë edicioneve të fundit.

Mirëpo, marrëdhëniet jo pozitive të 29 vjeçarit, me trajnerin e skuadrës, Gian Piero Gasperini, e kanë sjellë situatën në këtë përfundim.

Malinovskyi u bashkua me Atalantën në verën e 2019-tës, e prej atëherë ka luajtur 143 ndeshje në të gjitha kompeticionet me skuadrën nga Lompardia, duke shënuar 28 gola dhe po ashtu kontribuoi me 28 asiste.

Me transferimin në Francë, që me kualitetin që zotëron, Malinovskyi pritet të kthehet gjithashtu në një lojtar tepër të çmuar edhe për trajnerin e Marseille, Igor Tudor.