Sadio Mane zyrtarizohet në klubin saudit, do të luajë në një ekip me CR7

Sport

Sadio Mane largohet nga Bayern Munich dhe zyrtarizohet si lojtar i Al Nassr. Klubi saudit, i kompletoi shërbimet e senegelezit për shifrën e 40 milionë eurove, teksa në Lindjen e Mesme, sulmuesi nënshkroi një kontratë 3 vjeçare, nga e cila do të përfitojë 40 milionë euro në vit.

Në radhët e Al Nassr, Mane ka gjetur një sërë emrash të tjerë të rëndësishëm të futbollit, të cilët u bënë pjesë e klubit arab, pikërisht gjatë kësaj merkatoje, me përjashtim të Cristiano Ronaldos, që u transferua atje, në afatin kalimtar të dimrit. Pra, përveç CR7, Mane do të jetë shokë skuadre edhe me Alex Telles, Seko Fofana, apo edhe Marcelo Brozoviç.

Kësisoj, 31 vjeçari i ka dhënë fund aventurës së tij në Europë, që duhet thënë se nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Një vit më parë, Mane u bë pjesë e Bayernit, transferim që u shoqërua me mjafr bujë, mirëpo nuk rezultoi i tillë.

Vetëm 12 gola të shënuar përgjatë gjithë sezonit, ishin shumë pak për të fituar besimin e klubit bavarez. Mirëpo, përtej statistikave në fushë, situata e Mane u përkeqësua dhe thuajse fati i tij u vulos, në momentin kur senegalezi pati një përplasje fizike me shokun e tij të skuadrës, Leroy Sane.

Sidoqoftë, në fund, Bayerni është përpjekur të tregohet mirënjohës për kontributin e Sadio Mane përgjatë një sezoni, e po ashtu, i ka uruar suksese lojtarit në aventurën e tij të re.