City në garë për Leaon

Sport

Manchester City hyn në garë për Rafael Leaon. Lojtari më i mirë i sezonit të shkuar në Serinë A është në qëndër të merkatos jo vetëm për cilësitë e jashtëzakonshme që disponon, por edhe për fatkin se ende nuk ka rinovuar kontratën që i përfundon në 2024-ën. Portuezi kërkon 7 milion euro në sezon, ndërkohë Milani që aktualisht e paguan 4.5 milion euro në sezon ende nuk ka parashtruar një ofertë zyrtare edhe pse drejtori teknik Maldini deklaroi disa ditë më parë që klubi do të tentoj ta mbajë në skuadër 23 vjecarin, gjithsesi shtoi se askush nuk është i pashitshëm.

Në verë , Chelsea provoi për ta përfituar kartonin e futbollistit, madje u përfol një ofertë prej 120 milion eurosh, teksa Milani pretendon që nëse dikush e dëshiron Leaon, i duhet të paguajë klauzolën prej 150 milion eurosh. Manchester City klasifikohet si pjesë  e klubeve me më shumë kapital në botë dhe me sa raportojnë mediat britanike, interesi për anësorin kuqezi është i vërtetë , c’ka do të thotë se kampionët e Anglisë janë gati të paguajnë shifra të larta që në dritaren dimërore të merkatos. Në krahun tjetër nëse Milani nuk gjen gjuhën e përbashkët me lojtarin për zgjatjen e marrëveshjes, atëherë klubi italian mund të ishte i gatshëm të hiqte dorë që në Janar, sepse në qershor të 2023-it Leaos do ti mbetej vetëm një vit kontratë dhe shifra e ofertës mund të reduktohej. Një nga arsyet se përse futbollisti pretendon nga Milani jo më pak se 7 milion euro në sezon  lidhet edhe me cështjen e  Sportingun e Lisbonës dhe zgjidhjes së njëanshme të kontratës në vitin 2018. Gjykata e arbitrazhit sportiv i dha të drejtë klubit portugez dhe Leao i detyrohet Sportingut 19 milion euro. Milani është i disponueshëm ta mbështesë lojtarin financiarisht, por për momentin nuk është gati ti ofrojë shumën e kërkuar për zgjatjen e bashkëpunimit përtej vitit 2024.