Schalke refuzon ofertat e Juventusit për Draxlerin

Sport

31331
Schalke tërhiqet, nuk do ta shesë Draxlerin. Ofertat e Juventusit për fantazistin gjerman janë refuzuar zyrtarisht nga klubi i Bundesligës duke u shoqëruar edhe me një paralajmërim se Schalke nuk ka ndërmend t’i vazhdojë më negociatat për 21-vjecarin.
Sipas asaj çka raportojnë mediat italiane, Drejtori Sportiv i Juventusit Beppe Marotta kishte propozuar një formë huazimi prej 1 milionë eurosh, kjo e shoqëruar me një klauzolë që parashikonte pas një viti, të drejtën e blerjes së lojtarit, e fiksuar kjo në 20 milionë. Drejtori Sportiv i Schalkes, Horst Heldt e refuzoi këtë ofertë dhe gjithcka e bëri publik me anë të një postimi në “twitter”.
Ndërkohë nga Juventusi thuhet se është bërë edhe një tjetër propozim, jo më një formë huazimi, por 15 milionë euro kesh plus 3 milionë të tjera në varësi me rendimentin e lojtarit. Edhe kjo ofertë është refuzuar, teksa është shoqëruar edhe me një vendim të klubit për t’u tërhequr nga negociatat me Juventusin.
Julian Draxler vlerësohet nga klubi gjerman jo më pak se 25 milionë euro. Prej disa ditësh ai është kthyer në objektivin e Juventusit, por me zhvillimet e fundit, duket se 21-vjecari nuk do të trasferohet në Torino. Drejtori Sportiv i Juventusit, duke komentuar cështjen, u përpoq të minimizonte situatën teksa tha se bardhë-e-zinjtë nuk nguten, pasi pjesa më e madhe e punës për të kompletuar grupin tashmë është kryer.