Sergio Busquets merr vendim zyrtar mbi të ardhmen e tij

Sport

Hamendësimet e një kohe të gjatë kanë marrë fund. Sergio Busquets do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit. Zyrtarizimin e ndarjes e ka bërë public vetë futbollisi me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Për lojtarin në fjalë, flitej prej një periudhe të gjatë, pasi ai ishte shumë I dyzuar mbi të ardhmen e tij. Megjithatë, si përfundim, futbollisti e ka marrë një vendim. Duke nisur që nga edicioni I ardhshëm, ai nuk do të jetë më pjesë e Barcelonës.

Pas 18 sezoneve të kaluara në klubin kuqeblu, spanjolli tanimë do të nisë një aventurë të re në karrierën e tij. Gjithçka filloi në 2005-tën, atëherë kur Busquets u bashkua me skuadrën e moshave të Barçës dhe më pas, ishte trajneri Pep Guardiola që e bëri atë pjesë të skuadrës së parë.

Përgjatë këtij rrugëtimi, 34 vjeçari ka lënë gjurmë të pashlyeshme në klub. Me 718 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat, Busquets është lojtari I 3-të me më tepër prezenca në historinë e Barcelonës.

Gjithashtu, Busquets mban edhe rekordin, si lojtari me më tepër paraqitje në historinë e El Clasicos. Ai ka luajtur 48 ndeshje, si askush tjetër në radhët e Barcelonës, apo Real Madrid dhe numrëon gjithësej 23 fitore ndaj rivalëve madrilenë.

Sa I përket titujve të fituar, medaljet e Busquets janë të shumta. Në Camp Nou, ai ka fituar 3 Champions League, 8 kampionate, 7 kupa mbreti, 7 superkupa, 3 superkupa të Europës dhe 3 kupa të botës për klube.

E ardhmja e Busquets, pritet të jetë jashtë Europës, por lojtari ende nuk e ka vendosur se ku do të luajë. Për mesfushorin spanjoll, nuk kanë munguar ofertat nga Amerika, apo edhe nga Arabia Saudite.