Serie A, Dybala ende nuk ka vendosur për të ardhmen; Zanetti gati ta afrojë tek Inter

Sport

Paulo Dybala i dha lamtumirën Juventusit dhe tifozëve të klubit torinez në ndeshje ne fundit të luajtur në ‘Allianz Stadium’ përballë Lazio-s. Argjentinasit i përfundon kontrata me bardhezinjtë dhe të shumta janë skuadrat që kanë shfaqur interes për të. Mes tyre është edhe Interi, që shumë e shohin si destinacionin e mundshëm për Dybala. Por vetë sulmuesi ka hedhur poshtë spekulimet se ai ka arritur një akord me klubin zikaltër. Argjentinasi u shpreh se ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij, por siguroi se do të bëjë zgjedhjen më të mirë në interesin e karrierës. Dybala siguroi se nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e parave, por ai kërkon të luajë me një skuadër që ka një projekt të qëndrueshëm e ku ka mundësinë të luftojë për trofe. 28-vjeçari gjithësesi nuk e fshehu faktin se gjatë këtyre ditëve, ka patur mundësinë të flasë me drejtues të shumë skuadrave, mes të cilëve është edhe legjenda e Interit, Javier Zanetti.

Ky i fundit ka folur me elozhe për fantazistin argjentinas dhe sipas tij, për Interin do të ishte një vlerë e shtuar nëse Dybala do të vendoste të transferohej në Milano. Por njësoj si 28-vjeçari, edhe Zanetti konfirmoi se nuk ka asnjë akord mes palëve dhe se Dybala do të marrë kohën e nevojshme për t’i shqyrtuar të gjitha ofertat në drejtim të tij. Edhe tek Roma kanë bërë lëvizje konkrete për të afruar një emër me peshë në organikën e skuadrës së Mourinhos, ndërkohë që për Dybalan nuk hidhet poshtë as mundësia e kalimit në Angli, aty ku klube si Tottenham, Arsenal apo Manchester United, janë gati të plotësojnë të gjitha kërkesat financiare të lojtarit.