NBA, Celtics dominojnë në sfidën e katërt; Miami turpërohet me paraqitjen në ‘TD Garden’

Sport

Boston Celtics kanë barazuar në 2-2 serinë e finales së ‘Konferencës së Lindjes’, teksa dominuan ndaj Miami Heat në ndeshjen e katërt me rezultatin 102-82. Ndeshja nuk pati histori. Celtics e nisëm me ritmin e duhur ndeshjen, duke shnëuar pikët normale në periodën e parë. Por ajo se çfarë ndodhi me Miami-n në 12 minutat e para, është diçka që do të kujtohet gjatë. Heat shënuan vetëm 11 pikë në periodën e parë, ku deri në 7 minuta nga nisja e lojës, numëronin vetëm 1 pikë të shënuar me gjuajtjen e lirë të Bam Adebayo. Lojtarët titullarë të trajnerit Erik Spoelstra zhgënjyen në çdo drejtim. Jimmy Butler, Max Strus, Kyle Lowry, Bam Adebayo dhe PJ Tucker shënuan në total vetëm 18 pikë gjatë gjithë ndeshjes.

Që nga sezoni 1970/1971, asnjë formacion titullar nuk kishte shënuar kaq pak pikë në një ndeshje të fazës ‘PlayOffs’ në NBA. Miami shënoi një rekord negativ me asnjë gjuajtje të saktë në aksion e sipër, në 15 tentativat e para të bëra në këtë takim. Kështu, gjërat u bënë shumë të thjeshta për ata të Boston Celtics, që thjesht menaxhuan si duhet avantazhin e krijuar që në periodën e parë të sfidës. Jayson Tatum e mbylli me 31 pikë, 8 ribaunde e 5 asiste, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i sfidës, ndërsa kontribut të rëndësishëm dhanë Derrick White me 13 pikë, 8 ribaunde e 6 asiste, apo edhe veterani Al Horford, i cili veç 5 pikëve dhe 13 ribaundeve, regjistroi edhe 4 blloqe ndaj rivalëve të Heat.

Celtics dominuan edhe në fazën mbrojtëse, duke regjistruar 60 ribaunde, kundrejt 39 të Miami-t. Tani, seria do të zhvendoset sërish në shtëpinë e këtyre të fundit, në ‘FTX Arena’, ku Heat do të tentojnë të reagojnë pas kësaj humbjeje të turpshme e të rimarrin avantazhin e serisë.