Serie A, Juventus dhe Chelsea janë gati të shkëmbejnë Vlahovic me Lukaku-n

Sport

Pak ditë më parë, Romelu Lukaku u ndal nga një tifoz i Interit, që e pyeti rreth një transferimi të mundshëm të sulmuesit tek Juventus, por belgu u përgjigj se diçka e tillë ishte e vështirë për t’u realizuar. Mirëpo brenda javës, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Chelsea është shfaqur i hapur për të nisur tratativat rreth një shkëmbimi të mundshëm mes Lukaku-t dhe Dusan Vlahovic, që mesa duket nuk shihet më si qendra e projektit të klubit torinez. Mediat britanike dhe ato italiane janë të sigurta kur thonë se drejtuesit e Chelsea-t dhe ata të Juventus-it kanë nisur tashmë bisedimet për ta bërë realitet një lëvizje të tillë. Bardhezinjtë janë të bindur se Lukaku është një profil më i përshtatshëm për skuadrën e drejtuar nga Massimiliano Allegri dhe gjatë muajit korrik, patën bërë një ofertë konkrete për belgun, që konsistonte në 37,5 milionë euro për kartonin e tij, plus 2,5 milionë të tjera në formë bonusesh. Kjo do të përmbushte kërkesën minimale të Chelsea-t për Lukaku-n, pasi londinezët pretendojnë diçka më tepër se 40 milionë euro për të. Por konkretizimi i kësaj marrëveshjeje u bllokua për shkak se tek Juventus-i, duhet që fillimisht të shesin Dusan Vlahovic, në mënyrë që të gjenerojnë paratë e nevojshme për afrimin e sulmuesit belg. Vlahovic në anën tjetër shihej si një objektiv i Paris SG, por së fundmi, kampionët e Francës janë tërhequr nga mundësia e afrimit të tij. Chelsea kërkon të përfitojë dhe ka hapur në këtë mënyrë mundësinë e shkëmbimit me Lukaku-t dhe Vlahovic, por klubi londinez do të duhet të paguajë edhe një shumë të konsiderueshme parash, pasi kartoni i serbit vlerësohet në të paktën 80 milionë euro. Tek Chelsea janë të vendosur për të afruar 21-vjeçarin, që shihet i përshtatshëm për lojën që kërkon të ndërtojë trajneri Pocchettino, duke bërë një krahasim me Harry Kane, në kohën që ai drejtonte Tottenham-in. Ndërsa tek Juventus-i, Allegri ka dhënë ‘dritën jeshile’ për Lukaku-n, teksa drejtuesit e bardhezinjve do të arrinin të siguronin edhe disa të ardhura të konsiderueshme nga konkretizimi i një transaksioni të tillë