Serie A, Lazio, Luis Alberto paralajmëron largimin!

Sport

Prej kohësh, marrëdhënia e Luis Alberto-s me presidentin e Lazio-s, Lotito, nuk është ajo e duhura. Mesfushori spanjoll kërkoi largimin nga skuadra kryeqytetase gjatë merkatos së verës, por klubet e interesuara për të nuk paraqitën asnjë ofertë zyrtare, për shkak të pretendimeve të larta të Lotito-s. Numri 1 i Lazio-s pretendon të arkëtojë rreth 45 milionë euro nga largimi i Luis Alberto-s, i cili nga ana e tij ende mendon për ta zhvendosur karrierën e tij diku tjetër. Këtë e ka konfirmuar edhe në një intervistë të bërë falë rrjeteve sociale, ku u shpreh se ka ende edhe 3 vite kontratë me Lazio-n, por kjo nuk e garanton qëndrimin e tij në kryeqytetin e Italisë në sezonet e ardhshme. Fantazisti e pranoi se një nga idetë që e intrigon më shumë, është një rikthim në Spanjë, aty ku shumë skuadra janë të gatshme të bëjnë një sakrificë financiare për të afruar një lojtar si 29-vjeçari. I formua në akademinë e Sevilla-s, Luis Alberto ka provuar të luajë edhe me skuadra si Barcelona B, Malaga apo Deportivo La Coruna. Pikërisht një rikthim tek Sevilla duket si një mundësi e mirë për lojtarin aktual të Lazio-s, edhe pse vetë ai pranon se i pëlqejnë edhe skuadra të tjera nga ‘La Liga’. Por nëse presidenti Lotito nuk ul pretendimet e tij për kartonin e fantazistit, vështirë se ndonjë klub nga Spanja mund të sjellë një ofertë zyrtare për të. 29-vjeçari ka patur disa propozime interesante edhe në Itali, kur ekipe si Milani apo Napoli kanë qenë të gatshme për të lëvizur në drejtim të tij. Në këtë sezon të ‘Serie A’, Luis Alberto numëron 3 gola e 7 asiste në 23 ndeshje të luajtura. Ai u bë pjesë e lacialëve në verën e vitit 2016, kur për të transferuar kartonin e tij nga Liverpool-i, u shpenzuan rreth 4 milionë euro.