Serie A, Milan, Ziyech mbetet objektiv në merkato; do tentohet një lëvizje në janar

Sport

Dëmtimet e shumta duket se vazhdojnë të mallkojnë Milanin e trajnerit Stefano Pioli, i cili në ndeshjet e fundit, e ka patur të detyrueshme të improvizojë sa i përket krahut të djathtë të sulmit, me Alexis Saelemaekers dhe Junior Messias të dëmtuar. Edhe pse ky i fundit pritet të jetë i gatshëm në ndeshjen e ardhshme, është e qartë se Milani ka ende nevojë për përforcime në merkato. Edhe pse u afrua Charles De Ketelaere, mediat italiane zbulojnë se kontatet e drejtuesve kuqezi me Hakim Ziyech të Chelsea-t nuk janë ndërprerë. Kampionët e Italisë vijojnë të jenë të interesuar për shërbimet e ish-lojtarit të Ajax-it, i cili ndryshe nga merkato e verës, tani duket më i bindur për t’u larguar nga Londra. Ziyech nuk po gjen ende minuta në radhët e ‘bluve’ dhe një transferim i tij tek Milani shihet me mjaft interes, për shkak se do të kishte një rol prej protagonisti. Kontrata e anësorit me Chelsea-n skadon në qershorin e 2025-ës. Milani do të provojë të hyjë në bisedimet me klubin anglez gjatë merkatos së janarit, ku mund të tentohet me formulën e huazimit me të drejtë blerje, që kthehet në detyrim në rast të plotësimit të disa kushteve. Në rast të një propozimi interesant sa i përket shifrave, Chelsea është i hapur të lejojë largimin e Ziyech, mirëpo Milani e ka të vështirë të plotësojë kërkesat financiare të lojtarit. Anësori fiton aktualisht rreth 5 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset dhe tek kampionët e Italisë, një akord në këto terma duket i vështirë. Po ashtu është përfolur shumë edhe për një interesim të Milanit për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Broja, por burime pranë Chelsea-t bëjnë me dije se diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe se për Brojën nuk ka patur dhe nuk ka asnjë propozim nga Italia.