Mungesa e Neymar në turin e Kinës i hap probleme klubit francez

Sport

PSG gjendet për momentin në Kinë, si vazhdim i turit aziatik të kampionëve të Francës. Megjithatë për klubin parizien jo çdo gjë shkon si duhet. Siç raportohet së fundmi, drejtuesit e PSG kanë patur probleme të mëdha me organizatorët e turit aziatik dhe përsëri ‘kryefjala’ e kësaj historie është Neymar. Mungesa e yllit brazilian ka revoltuar tifozët dhe organizatorët në Kinë, të cilët kur kanë firmosur kontratën me klubin francez, e kishin bërë të qartë që Neymar duhej të ishte në fushën e lojës. Por braziliani për momentin është jashtë skuadre dhe arsyeja zyrtare e paraqitur nga ana e klubit është se braziliani po rikuperohet nga dëmtimi që mori me kombëtaren në sfidën ndaj Katarit. Por sipas organizatorëve kinez, mungesa e Neymar u hap shumë telashe nga ana financiare, pasi 27-vjeçari është ndër emrat më të famshëm në Kinë dhe tifozët prisnin prezencën e tij.

Sigurisht që edhe me mungesën e Neymar, PSG mbetet një skuadër plot yje dhe kualitet, por braziliani do të sillte edhe më shumë kontrata të majme sponsorizuese. Kjo situatë ka sjellë të tjera acarime mes marrëdhënieve të klubit francez dhe Neymar, që nga ana tjetër, po e shfrytëzon kohën e rikuperimit edhe për të bërë pushime më të zgjatura se të tjerët. Tek PSG kanë kërkuar që sapo lojtari të kthehet në mjediset e klubit, të zhvillohet një takim me disa prej drejtuesve, brazilianit dhe babait të tij, që është njëkohësisht edhe agjenti i 27-vjeçarit. Prej kohësh përflitet se Neymar kërkon largimin nga PSG, me objektiv rikthimin tek Barcelona, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet situata nga ana e kampionëve të Francës.