Serie A, s’ka titull në tavolinë, ja si mund të luhet kampionati

Sport

Për shkak të Coronavirus, Serie A është ndërprerë në javën e 26-të, ndërsa kur kanë kaluar më shumë se 2 javë që nuk luhet asnjë ndeshje futbolli, ende nuk dihet me saktësi si do të vijojë ky sezon. Për momentin, Juventusi është në vendin e parë me 63 pikë, ndërsa bardhezinjtë nuk kanë pranuar që titulli kampion të jepet në tavolinë, por ndeshjet të luhen në fushën e lojës. Pra kjo është një alternativë e hedhur poshtë. Së fundmi, mediat përtej Adriatikut, raportojnë se ka një mundësi që në fundin e majit kampionati të rifillojë përsëri, ndërsa mendohet që të përfundojë në mesin e muajit korrik. Kur të luhen këto takime, stadiumet do të jenë të boshatisura, ndërsa do të merren masat maksimale që lojtarët, së bashku me stafin, të mos rrezikohen në asnjë moment. Përsa u përket zonave që janë shumë të prekura nga virusi, mendohet që takimet të luhen në stadime asnjanëse, duke shmangur kështu kontaktin me zonat më të prekura. Megjithatë, pritet edhe një reagim zyrtar nga UEFA, por çdo gjë do të vendoset në bazë të ritmit që do të ketë përhapja e Covid-19-të.