Sheringham thotë se Harry Kane është i vetmi yll i klasit botëror që ka Anglia

Sport

Harry Kane

Dy vite më parë thoshte se Kane ishte një miks mes tij dhe Jurgen Klinsmannit, por ja që ditëve të sotme Teddy Sheringham thotë diçka edhe më shumë. Sipas tij, Harry Kane është i vetmi lojtar i klasit botëror që ka Anglia. Sulmuesi i Tottenhamit ka qenë i jashtëzakonshëm tre sezonet e fundit. 24-vjecari rezultoi golashënuesi i Premier-League-ës në dy vitet e kaluara, ndërsa këtë sezon ka realizuar plot 35 gola në 36 ndeshje. Ai madje realizoi edhe në përballjen me Juventusin në Champions League dhe mbetet arma kryesore e Spursave edhe për sfidën e kthimit. Por Sheringham beson se Kane nuk është vetëm elementi kryesor i skuadrës së Maurizio Pochettinos, por edhe i asaj të Gareth Southgate te Anglia. Këtu sipas Sheringhamit qëndron edhe problemi, një skuadër për të dalë kampione ka nevojë për 2 ose 3 lojtarë të klasit botëror dhe fakti që sipas tij këto nuk i kanë as Tottenhami dhe as Anglia gjërat bëhen pesimiste për to. Sheringham u pyet konkretisht për botërorin Rusi 2018-të, ai tha me sinqeritet se sipas tij Anglia s’mund ta fitojë trofeun pikërisht për këtë gjë. “E dashuroj pafundësisht lojën e Kane-it, por vetëm ai s’mjafton. Për të fituar duhen 2 ose 3 lojtarë të klasit botëror dhe Anglia aktualisht ka vetëm atë” – theksoi Sheringham. Më tej ish-sulmuesi i Manchester United-it këshilloi Tottenhamin që të bënte cmos që ta mbante atë në skuadër, pasi me të tilla nivele zor se klubet e mëdha do të rrinë duarkryq.