Shkelzen Gashi zbulon Amerikë, firmos për Colorado

Sport

gashi.jpg

 

I zgjidhi dilemat e së ardhmes Shkëlzen Gashi, i cili ka vendosur të kalojë Oqenin, për të vazhduar karrierën e tij me amerikanët e Colorado Rapids. Kështu është bërë futbollisti i dytë shqiptar që transferohet në Ligën Amerikane të Futbollit, pas bombierit shkodran Hamdi Salihi, i cili luajti me D.C United në sezonin 2012-2013. Nga shitja e lojtarit që ka nënshkruar për katër vjet, Basel duket se ka përfituar 3 milionë euro. Kurse vetë Shkëlzeni do të marrë 1 milionë dollarë, dyfishin e pagës që kishte në Zvicër.
Klubi amerikan e ka mirëpritur ardhjen e 27-vjeçarit, që për 2 vite me radhë doli golshënuesi më i mirë në Superligën zvicerane, përpara se trajneri i ri Fisher ta detyronte të largohej. “Shkelzeni Gashi ishte objektivi kryesor i yni, për sezonin e ri”, tha drejtori klubit të futbollit Colorado Rapids, Paul Bravo.
Vetë Gashi, pjesë e Kombëtares shqiptare ku ka luajtur 10 ndeshje, ka folur për eksperiencën e re duke mos e harruar të kaluarën. “Kam kaluar mirë te Zyrihu, Grasshoper e Basel, klube që dua t’i falënderoj. Tani ndihem shumë i lumtur që jam këtu. Ky është një hap i ri për mua, një sfidë e re. Dua të jap më të mirën për Koloradon”, ka thënë lojtari, që ka zgjedhur sërish numrin 11 dhe që tani duke nisur nga marsi, do të ketë mundësinë të ndeshet me yje si Gerard, Kol, apo De Jong.
Colorado e renditur e 10-ta gjatë sezonit të fundit në në Konferencën Perëndimore, ishte edhe skuadra më e dobët në shënimin e golave, duke gjetur rrjetën vetëm 33 herë në 34 ndeshje. Kështu, me Gashin shpreson të gjejë golat dhe sukseset.