Shqiptari i Parmës rrëfen prapaskenat e transferimit te Parma

Sport

Ai që ishte sezoni më i paharrueshëm për Kastriot Dermaku u ndërpre në mes, për shkak të Coronavirusit. Mbrojtësi shqiptar debutoi në Serinë A italiane, pasi gjatë verës së vitit të kaluar u transferua te Parma, pas përvojës pozitive që kaloi me Cosenza në Serinë B. Për medat, ai ka rrëfyer të gjitha lëvizjet që sollën veshjen e fanelës verdheblu: “Pata vazhdimisht kontakte me Parmën që gjatë sezonit të fundit me Cosenzan. Sapo mora vesh për mundësinë e të luajturit në Serinë A, sigurisht për mua ishte një zgjidhje e vështirë, por ishte mundësia e fundit për të bërë hapin e madh. Arrin në një moshë të caktuar dhe lindin dyshimet. Tani mund të them pa frikë se e gjej veten në një ambient ku punohet mirë dhe më mirë se nga sa prisja”, rrëfeu fillimisht Dermaku.
Sidoqoftë, për hedhjen e hapit të madh, lojtari i Kombëtares shqiptare i është mirënjohës edhe Cosenzas, skuadra tek e cila doli në pah, aq sa u thirr edhe nga përfaqësuesja kuqezi. Ai e kujton kështu kalimin te skuadra që e bëri të njohur. “Prej disa kohësh klubi kuqeblu më kërkonte. Mund të them se ishin komunitete të ndryshme arbëreshësh që ndikuan në zgjedhjen time. Më pas rezultoi edhe si zgjedhja më e mirë e mundshme. Aventura me Cosenzan? S’ishte një situatë e lehtë, ishim në vështirësi nga ana psikologjike. Por, më pas erdhën momente të mira. Ishim një ekip i mirë dhe filluam të besonim deri në fund”.