Shtohen pretendentët për mbrojtësin shqiptar

Sport

Eshtë e sigurtë tashmë prej disa javësh që Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli. Për momentin, më ngulmuese për ta marrë është shfaqur skuadra e Atleticos së Madridit. Mirëpo, klubin napoletan nuk e ka bindur mënyra e transferimit që kërkojnë spanjollët. Pikërisht, madrilenët do të donin të përdornin për Hysajn një formë si huazimi me detyrim blerjeje përfundimtar. “Los Colchoneros” nuk duan të shpenzojnë shumë, pas investimit 125 milionë euro për blerjen e Joao Felix nga Benfica. Ja që kjo metodë me të cilën Atletico dëshiron të blejë Hysajn, nuk bind si Napolin, ashtu edhe agjentin e lojtarit. Klubi napoletan kërkon të paktën 25 milion euro. Gjithsesi, trajneri Diego Simeone është një adhurues i anësorit shqiptar, i cili 3 vjet me Napolin, numëron 135 ndeshje. Dhe duket se “El Cholo” do të vazhdojë të ngulmojë për ta pasur shërbimet e tij.


Por ndërkohë, në listën e skuadrave që duan Hysajnë janë shtuar edhe gjermanët e Schalke si dhe rusët e Zenitit. Dy klube që natyrisht nuk janë në nivelin e Atleticos, apo edhe të Interit e Juventusit që kanë shprehur interes drejt tij brenda Italisë. Ndoshta kjo bën që për momentin, lojtari dhe agjenti i tij Xhiufredi të mos i marrin në konsideratë.