Spanjë, Gareth Bale është objektivi kryesor i merkatos së Newcastle

Sport

Newcastle interesohet seriozisht për shërbimet e Gareth Bale. Është e përditëshmja e njohur spanjolle, ‘Marca’, që konfirmon se klubi anglez po bëhet gati të bëjë një ofertë zyrtare për Real Madrid, sapo ‘Federata Angleze e Futbollit’ të konfirmojë blerjen e klubit nga ‘Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite’. Në media është folur së fundmi edhe për një klauzolë në kontratën e Bale, që i jep mundësinë Tottenham të ketë prioritet për të marrë shërbimet e uellsianit, por siç zbuloi ‘Marca’, kjo klauzolë ka skaduar në datën 30 qershor të vitit të kaluar. Për këtë arsye, nëse Newcastle vendos të bëjë një ofertë për Bale, Tottenham nuk ka asnjë prioritet në bisedimet me Real Madrid. Për Bale, rëndësi të veçantë do të ketë paga që do t’i ofrohet. Edhe verën e kaluar, për uellsianin pati disa oferta, por ai nuk pranoi të largohej nga madrilenët derisa erdhi një ofertë nga Kina, që do ta paguante lojtarin rreth 25 milionë euro në sezon. Asokohe, transferimi dështoi sepse Reali nuk pranoi ta largonte lojtarin falas. Nëse shitja e Newcastle nuk do të hasë probleme burokratike në Angli, atëherë ‘the Magpies’ do të jenë ndër klubet më të pasura në Europë, prandaj edhe kontrata e Bale nuk do të përbënte ndonjë problem. Për më tepër, nëse në krye të skuadrës do të vijë një emër si Pochettino, atëherë jo vetëm Bale, por shumë lojtarë të tjerë do të pranonin menjëherë kalimin e tek skuadra angleze. Sa i përket Real Madrid, spanjollët janë të gatshëm të lejojnë lojtarin të largohet edhe për një shifër prej 20 milionë eurosh. Kjo, edhe prej faktit se vetëm nga paga e lojtarit do të kurseheshin jo pak para nga arkat e ‘los blancos’.