Spanjë, Guardiola pa komplekse, vlerëson Realin e Zidane si skuadër spektakolare

Sport

guard zizu
Përfundimisht Pep Guardiola është pa komplekse. Trajneri katalan i Manchester City-it, pavarësisht se në të kaluarën ka qenë edhe në krye të Barcelonës, ka përgëzuar pa kurrëfarë hezitimi sezonin e jashtëzakonshëm të Realit të Madridit dhe trajnerit të tyre Zinedine Zidane. Los Blancos arkivuan atë çka u pagëzua si “La Decimotercero” ose më shqip trofeun e 13-të të UEFA Champions League dhe për Guardiolën ata kanë qenë thjeshtë spektakolarë. “Kur një skuadër fiton tre Champions League-a radhazi dhe 4 në pesë vitet e fundit, do të thotë se ata janë thjeshtë spektakolarë” – ka vlerësuar trajneri katalan.

zidan

Guardiola i bëri këto komente gjatë një eventi në klubin e Barcelonës të organizuar nga Johan Cruyff Foundation. Pep analizoi më tej se Reali i kontrollon shumë mirë ndeshjet e fazës me eliminim direkt dhe për këtë gjë është për t’i hequr kapelen organikës tejet cilësore dhe menaxhimit të Zinedine Zidane. “Pas kësaj ecurie të tyre tanimë të gjithë duhet të përpiqemi t’i ndalim ata që të fitojnë për herë të katërt Champions League-ën” – këmbënguli trajneri i Manchester City-it, i cili nuk shijon një finale të Evropës që prej vitit 2011-të, kohë kur drejtonte Barcelonën.