Spanjë, Messi thotë se do ishte e tmerrshme ta shihte Neymarin te Reali

Sport

messi neymar
Situatën aktuale që po përjeton Neymar me një bum spekulimesh që flasin për largimin nga Parisi, vetë braziliani e përshkruan si ndër më të vështirat për të, por nga ana tjetër dikush mjaft i admirueshëm prej tij flet hapur dhe pa dorashka. Lionel Messi thotë se një kalim i mundshëm i Neymarit te Reali i Madridit do të ishte një goditje e rëndë për Barcelonën. Në Camp Nou, braziliani luajti përkrah argjentinasit për katër vite dhe me Luis Suarezin formoi një treshe ëndrrash, që i bënë tifozët të ëndërronin pafund. Pikërisht për atë çka i dhuroi tifozerisë Messi thotë se do të ishte zhgënjyese që ai të kalonte te rivalët e Realit.

neymar barca

“Do të ishte e tmerrshme ta shihnim Neymarin te Reali, kjo prej faktit se ai kishte shumë rëndësi për tifozët, do ishte zhgënjim për ta” – ka thënë Messi për “Tyc-Sports”. Në Paris gjërat janë në lëvizje, kjo pas angazhimit të Thomas Tuchel si trajner. Edhe pse atij i është thënë se Neymari nuk do të lëvizë, në Madird mendojnë ndryshe. Në fakt shtypi raporton se Los Blancos janë të gatshëm të largojnë Gareth Bale-in nga organika dhe disa lojtarë të tjerë në mënyrë që të justifikojnë investimin për brazilianin. Të mërkurën AS analizonte se llogaritë e Realit nuk janë dhe aq të sakta, pasi vlera e Bale ka rënë tashmë dhe ai në merkato kuotohet më pak se Isco apo Asensio.