Strakosha i dëmtuar, shtyhet sërish rikthimi në Kombëtare!

Sport

Thomas Strakosha mund të thuhet se është i pafat sa i takon Kombëtares, në këto muajt e fundit. Pritej që portieri i Lacios të ribashkohej me trajnerin Edy Reja, por këtë herë jo te skuadra bardhekaltër, por në përfaqësuesen kuqezi. Mirëpo, gjithcka duket se duhet të shtyhet në kohë, pasi nuk do të ndodhë të paktën në dy kualifikueset e qershorit që Shqipëria ka në program kundër Islandës dhe Moldavisë.Portieri 24-vjeçar vijon të jetë i dëmtuar në tendinën e Akilit, aq sa nuk u grumbullua fare nga Simone Inzagi për ndeshjen e së hënës në Serie A, kundër Bologna, duke aktivizuar portierin e tretë, Guerrieri. Bëhet fjalë për disa shqetësime fizike, që e mundojnë prej disa javësh, çka e ka kushtëzuar në stërvitje dhe ndeshje.

Duke dashur të mos e ndërlikojë më tej situatën, trajneri Inzaghi e kursyer në ndeshjet e fundit të kampionatit. Vetëm në finalen e Kupës së Italisë, Strakoshës iu kërkua të bënte një sakrificë dhe të luante me injeksione, për të mos ndier dhembje gjatë ndeshjes. Por thjesht kaq, sepse gjendja fizike e 24-vjeçarit nuk duket se është përmirësuar. Madje mësohet e ka edhe të vështirë të stërvitet, jo më të luajë. Për këtë, stafi mjekësor i Lacios po mban nën vëzhgim, për të shikuar nëse do të ketë ndonjë mundësi rikthimi në fushë.Por sipas informacioneve që vijnë nga klubi roman, në fakt duket vërtet e pamundur t’i përgjigjet ftesës së Kombëtares, për dy sfidat e programuar për 8 dhe 11 qershor, në kuadër të “Euro 2020”. Një fat i keq për portierin, sepse ai mungoi në kombëtare edhe në dy ndeshjet e kaluara, pas vendimit të ish-trajnerit, Christian Panucci, për ta lënë jashtë, pasi u vonua në nisjen nga Roma.