Strakosha: Pritja? Ishte merita e të gjithë skuadrës…

Sport

strakosha
Thomas Strakosha u cilësua si heroi i Lacios, në ndeshjen e së dielës që bardhekaltërit fituan 1-0 në fushën e Empolit të Federic Veselit. Ka qenë një rikthim si titullar i hidhur për mbrojtësin shqiptar të skuadrës toskane dhe për këtë kontribuoi shoku i tij i Kombëtares, që mbron portën e Lacios. Strakosha ruajti avantazhin e bardhekaltërve, duke realizuar një super-pritje në minutën e 93-të të takimit të luajtur në transfertë. Pas një topi të krosuar nga e djathta, sulmuesi i Empolit Caputo u gjend vetëm disa metra larg portës, duke gjetur topin përpara mbrojtësve të Lacios, por refleksi i portierit të përfaqësueses shqiptare neutralizoi rrezikun me pritjen fantastike. Dhe mbi të gjitha shpëtoi 3 pikët, që ishin siguruar falë golit të Parolos në fillimin e pjesës së dytë. Kështu, Lazio ia doli të marrë fitoren e dytë radhazi në Serinë A, edhe për meritë të portierit kuqezi.

gettyimages 921407024

Vetë ai duke folur për këtë pritje, tregoi: “Nuk e prisja aspak…Kur pashë topin e gjuajtur nga Caputo mendova më të keqen, por për fat shkoi mirë. Topi përfundoi jashtë… Por gjithsesi, ishte e gjithë skuadra që punoi për këtë rezultat. Janë vërtet 3 pikë të arta. Por duhet ende të përmirësohemi, sidomos sa i takon formës fizike”, ishin fjalët e Strakoshës. I mërzitur nga ana tjetër ka qenë Veseli, që luajti 90 minutat e tij të para në këtë kampionat të Serisë A. “Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe nuk vuajtëm, por rezultati na la të zhgënjyer. ndonëse e dinim që kishim kundër një skuadër të fortë si Lacio. Sidoqoftë, na duhet të punojmë ende shumë për të ndrequr gabimet”, deklaroi mbrojtësi për mediat italian. Sa i takon rolit si anësor që mbuloi, Veseli shpjegoi se “kishte kohë që nuk luante në të majtë”. Ndërsa pranoi se fizikisht nuk është ende në 100% të formës së tij.