SUPERKUPA E ITALISE, JA SI NDRYSHON FORMATI NGA VITI 2024

Sport

Seria A ka arritur një marrëveshje të re me Arabinë Saudite, vend ku do të vazhdojë të luhet Superkupa e Italisë. Presidenti i Ligës Italiane, Lorenzo Casini, ka bërë të ditur të hënën se, gara për këtë event të futbollit italian do të zhvillohet sërish atje sezonin e ardhshëm, një traditë e nisur prej vitit 2018. Por kësaj here ai që ndryshon është formati i organizimit, pasi do të jetë me katër klube, njësoj si në stilin spanjoll. Deri më tani është zhvilluar vetëm një ndeshjes, ajo mes kampionit të Serie A dhe atij të Kupës. Por tashmë zyrtarisht nga viti i ardhshëm do të jenë në garë edhe dy skuadra të tjera, duke përfshirë vendin e dytë të kampionatit si dhe finalistin e Kupës së Italisë. Gjithçka u vendos të hënën, në një mbledhje të Asamblesë së Lega Serie A.

Tre nga pesë edicionet e fundit janë luajtur në shtetin e Gjirit, në një marrëveshje që kapte vlerën e 21 milionëve euro. Zyrtartët e futbollit italian sqaruan se kontrata e re do të sjellë 23 milionë euro për të organizuar një kompeticion me katër ekipe në 4 nga 6 sezonet e ardhshëm, si dhe 12 milionë euro për të organizuar një ndeshje miqësore.