Tjetër lojtar me prejardhje shqiptare në Serinë A

Sport

Shtohen futbollistët me prejardhje shqiptare, që do të jenë pjesë e Serisë A për sezonin e ardhshëm. Më i fundit është oortieri i Kosovës, Sajmir Ujkani, i cili pasi u shkëput pak ditë më parë nga Rizespori, tashmë ka vendosur të rikthehet në Serie A për të luajtur me Torinon. Ai është shprehur i lumtur dhe krenar që iu bashkua klubit italian të njohur si “granata”.

“Jam krenar dhe i nderuar që kam ardhur në njërin prej klubeve më të rëndësishëm në futbollin italian. Do ta takoj sërish Sirigun, një portier fantastik të cilin e njoh nga koha kur ishim në Palermo. Do t’i ritakoj me kënaqësi edhe disa ish-bashkëlojtarë si Rincon, Izzo, Ansaldi e Laxalt”, është shprehur Ujkani.
Në fakt, vushtrriasi u rikthye në Itali, aty ku e kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës. Në të kaluarën kishte mbrojtur për ekipet italiane Palermo, Novara, Chievo, Genoa, Latina, Pisa e Cremonese. Ish-portieri i Anderlechtit ka nënshkruar kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi për një tjetër.
“Ujkani është një portier me eksperiencë ndërkombëtare, e njeh mirë futbollin italian, është një profesionist serioz”, ka thënë presidenti i Torinos, Urbano Cairo. Ujkani bashkohet kështu me koloninë e shqiptarëve, që prëshin Strakoshën, Berishën, Hysajn, Gjimshitin, Kumbullën e Rrahmanin.