Toronto shkatërron Indianan, CJ McCollum nderon Portland Trail Blazers!

Sport
Kampionët në fuqi të NBA, Toronto Raptors kanë shkatërruar me rezultatin e thellë 127-81 skuadrën e Indiana Pacers, në një sfidë që u dominua krejtësisht nga ana e kanadezëve. Plot 4 lojtarë të Torontos realizuan të paktën 15 pikë, teksa tek Indiana askush nuk ia doli të kalonte përtej kësaj shifre. Kamerunasi Pascal Siakam ishte shënuesi më i mirë i takimit me 21 pikë, ndërsa ra në sy paraqitja e Kyle Lowry me 16 pikë, 11 asiste dhe 7 rikuperime të topit nën tabelë. Vendimtar ishte edhe basketbollisti spanjoll Serge Ibaka, që kompletoi një ‘double-double’ me 15 pikë dhe po aq rikuperime të topit nën tabelë. Sa i përket Indianas, shënuesit më të mirë ishin Holiday dhe Sabonis, që u ndalën në 14 pikë. Kjo humbje e rëndë tregon qartë se Indiana mbetet e varur nga Victor Oladipo, i cili nuk ishte i gatshëm në këtë takim për shkak të një dëmtimi në shpinë. Sa i përket Torontos, kjo fitore me 46 pikë diferencë, ishte më e thella e arritur ndonjëherë në historinë e ekipit kanadez.
Edhe Portland Trail Blazers luante pa liderin e skuadrës në përballjen me Detroit Pistons. Në mungesë të Damian Lillard, vëmendja shkoi për CJ McCollum, që ishte shumë pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 41 pikë, 12 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Paraqitje të mirë bëri edhe veterani Carmelo Anthony, që shënoi plot 32 pikë, ndërsa Whiteside e mbylli me 16 pikë dhe 17 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Detroit, shënuesit më të mirë ishin Knight dhe Derrick Rose me 15 pikë, që gjithësesi nuk shmangën humbjen me rezultatin e ngushtë 107-104.
Në takimet e tjera, Oklahoma i dha një leksion skuadrës së San Antonio Spurs, të cilët i mundën me rezultatin e thellë 131-103, ndërsa Denver Nuggets nuk e patën të vështirë të triumfonin 128-116 kundër Minnesota Timberwolves.