Tottenham/ Bonus i majmë për trajnerin Conte nëse e kualifikon skuadrën në Champions League

Sport

Duket thjesht çështje ditësh që Antonio Conte të përfitojë një bonus të majmë prej 3 mln eurosh nga Tottenham.

Teksa ndodhemi vetëm një javë larg nga mbyllja e kampionatit në Premier League, Tottenham është i kualifikuar me një këmbë në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Padyshim që kjo arritje i atribuohet trajnerit Antonio Conte. Në nëntor të vitit të shkuar, kur tekniku italian mori drejtimin e skuadrës, ekipi i Zambakëve të Bardhë klasifikohej në vendin e 9-të të tabelës së renditjes.

Tekniku në fjalë, firmosi një kontratë deri në verën e vitit 2023, me rreth 18 mln euro në sezon, me marrëveshjen që përfshinte edhe bonuse të ndryshme. Një prej tyre ka të bëjë me kualifikimin e skuadrës në fazën e grupeve të Champions League. Nëse kjo ndodh, atëherë Conte do përfitojë 3 mln euro nga Tottenham.

E në fakt, një objektiv i tillë po përmbushet me sukses. Për momentin, Spurs kanë 68 pikë, ndërsa në javën e fundit të kampionatit, ata luajnë në transfertën e Norëich, aty ku do mjaftoheshin qoftë edhe me një barazim për të siguruar zyrtarisht kualifikimin në Champions League.

Marrja pjesë në Champions, do i mundësonte Contes që të ndërhynte në merkato. Sikurse raportojnë mediat në Angli, Tottenham do blejë kartonin e Dejan Kulusevskit për rreth 30 mln euro dhe të mbrojtësit Christian Romero për shifrën e 50 mln eurove. Për momentin, lojtarët në fjalë ndodhen në huazim në klubin nga veriu i Londrës.

Më tej, Tottenham është i interesuar për të transferuar me parametra zero lojtarin Christian Eriksen. Vetë danezi është shprehur se dëshiron t’i bashkohet një skuadre që të luajë në Champions League. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të kthehet edhe një herë tjetër në ish-klubin e tij.

Sa i përket largimeve, nga Zambakët e Bardhë, po paketojnë valixhet, futbollistë si Sergio Reguilon, Emerson Royal, Steven Bergwijn, Giovani Lo Çelso dhe Tangay Ndombele.