Tre duelet që mund të vendosin fatet e finales së Champions League-ës!

Sport

Finalja e Madridit luan një përballje të gjithën angleze. Tottenham dhe Liverpool njihen mirë, pasi e sfidojnë njëra-tjetrën çdo vit dhe për këtë arsye, duelet që mund ta përcaktojnë këtë sfidë janë lehtë të parashikueshme. Si fillim e nisim me lojtarin më në formë të Liverpoolit në këtë sezon të Champions League-ës. Sadio Mane. Kushdo që do të vihet përballë tij për ta markuar nga Tottenhami do ta ketë të vështirë. Me Danny Rose, që ka patur probleme fizike, Spursat mund t’ia lënë këtë peshë Kieran Trippierit. Senegalezi Mane ka shënuar 26 gola këtë sezon, por Trippier tregoi sidomos në sfidën me Manchester City se është i aftë të markojë lojtarë të shpejtë. Shembulli konkret qe me Raheem Sterling.

Në krahun tjetër sfidë interesante dhe që mund të përcaktojë fatet e finales mund të jetë dueli në mbrojtje mes Alexander-Arnold dhe kroeanit Son. Arnold ka qenë fantastik këtë sezon me 12 asiste dhe gjithmonë i pathyheshëm në krahë. Por përballë në Madrid ai do të ketë një lojtar si Son, që ka shënuar 20 gola dhe 10 asiste duke u shndërruar në lojtarin më kyç të këtij sezoni për Spursat, që megjithëse nuk kishin Harry Kane-in, falë tij mundën të merrnin maksimumin edhe në momentet më të vështira. Por nëse sfida ka një repart ku dueli do jetë tejet i ashpër dhe vendimtar është mesfusha. Dueli Moussa Sissoko dhe Jordan Henderson mund të diktojë gjithçka. I pari ka ndryshuar lojën gjithmonë për Spursat, ndërsa i dyti ka treguar se është themelor në fazën krijuese. Këto janë 3 duelet më interesante të Madridit, që mund të vendosin se kush do ta ngre titullin e Champions League-ës.