Tring fiton për herë të dytë Ligën Amatore të Volejbollit

Sport

Për herë të dytë radhazi, TRING u shpall fitues i Ligës Amator të Volejbollit, që mbylli këtë javë edicionin e katërt. Vajzat dhe djemtë e skuadrës së platformës televizive dolën triumfuese pas dy ndeshjeve të vlefshme për finalet e “play-off”-it, ku u vendosën përballë Fani Tatu. Të parën arritën ta fitojnë 3-2 pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme, në fund të një sfide maratone që u duk se nuk do të kishte mbarim. Ndërsa në përballjen e dytë, fitorja erdhi 3-0 në tavolinë, bazuar në rregullore, përderisa kundërshtarët nuk u paraqitën. Kështu, Tring kurorëzoi me sukses një tjetër kampionat, që këtë vit ishte shumë më i fortë dhe i luftuar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Grios Pirra, që e mbylli në krye fazën e grupeve, më tej eleminoi me radhë UBA Bank dhe Smartcom. Për të ardhur deri tek faza finale, ku finalizoi me trofe ecurinë që njohu vetëm 3 humbje përgjatë mbi 30 ndeshjeve të luajtura. Një kontribut të rëndësishëm dhanë Altin Bërdufi e Nilsi Gjino, pa harruar sigurisht as Aldo Doracin, Izmir Shkupin, Eugen Ajdinin, Tom Borovën, Kristi Cavon, Joni Takon, Serenela Bellon, Esmeralda Çavon dhe Entela Dervishin.

Ky turne i jashtezakonshem, ku garuan 16 skuadra të ndara në dy grupe, mbërriti kështu në finishin e rrugetimit të tij të gjatë disa-mujor. Ndërkohë që Federata Shqiptare e Volejbollit ka dashur të përshëndesë dhe falënderojë “të gjitha skuadrat pjesemarrëse në këtë event, duke i përgezuar për lojërat me nivel dhe emocionet e përcjella në fushën e lojës. “Ju faleminderit të gjitheve që jeni pjesë e volejbollit, duke treguar për muaj me radhë pasionin dhe dashurinë për këtë sport”, ka qenë mesazhi përmbyllës i FSHV.