Tuchel kujton humbjen me Manchesterin, thotë se skuadra u trondit

Sport

PSG e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë. Në kampionat, të besuarit e Thomas Tuchel kryesojnë me 21 pikë pas 9 javësh, teksa në ‘Champions League’ udhëheqin grupin A me pikë të plota, ku vlen të theksohet fitorja 3-0 ndaj Real Madrid.
Trajneri Tuchel i është gëzuar edhe rikthimit të Neymar, i cili pavarësisht problemeve që ka me drejtuesit, brenda fushës së blertë ka dhënë maksimumin. Në një intervistë të fundit, tekniku gjerman u shpreh se skuadra e tij tashmë është më e pjekur se më parë dhe Tuchel ndalet tek një pikë e veçantë e sezonit të kaluar. 46-vjeçari foli për eleminimin nga ‘Champions League’ dhe atë përmbysje të Manchester United në ‘Parc des Princes’, që mesa duket ka lënë jo pak shenja tek kampionët e Francës.

Tuchel e krahasoi atë humbje 3-1 në shtëpi me një përplasje me makinë dhe se bëri që në kampin parizien të pllakoste heshtja për të paktën 3 ditë. Megjithatë, lojtarët e PSG treguan karakter dhe bënë autokritikë, ndërsa tani i sheh më me eksperiencë se më parë dhe të gatshëm për të luajtur sfida të tilla me kundërshtarë të mëdhenj, njësoj si Real Madrid.
Sa i përket Neymar, Tuchel tha se braziliani vijon të jetë i përkushtuar në stërvitje dhe ndeshje njësoj si më parë dhe pavarësisht se mediat vijojnë të ushtrojnë presion, lojtari është shfaqur besnik ndaj shokëve të skuadrës dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin e tij.