U rrëzua keq dhe mbeti pa ndjenja

Sport

torresweb

Fernando Torres arriti t’ia dalë paqtë nga një përplasje e rëndë në fushë duke shpëtuar mrekullisht nga një lëndim i rëndë. Ishte minuta e 85-të e ndeshjes me Deportivo La Corunan, kur Torres u përplas me qendërmbrojtësin vendas Alex Berganinos dhe u rrëzua keqazi përtokë duke goditur rëndë kokën. Rrëzimi ishte aq i fortë saqë ai humbi menjëherë vetëdijen. Të menjëhershëm kanë qenë reagimet e shokëve të skuadrës, ku Gabi, Vrsaljko dhe Gimenez u përpoqën të siguroheshin që Torresit në rënie e sipër nuk i kapërceu gjuha. Momenti ishte tejet i vështirë, pasi askush nuk ishte në gjendje ta kuptonte realisht situatën. Torres nuk përmendej ndërsa mjekët e të duja skuadrave u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë. Në Stadiumin Riazor tifozët e përjetuan shumë keq, në një kohë kur mes tyre pati dhe nga ata që zunë të qanin. Torres u dërgua menjëherë në spitalin Modelo në Coruna, ku sipas klubit të Atleticos iu nënshtrua një sërë analizash. Sidoqoftë më e keqja duket se kaloi pa pasoja. Skaneri nuk tregoi asnjë lëndim në kokë, ku gjendja sipas mjekëve u paraqit e qëndrueshme. Më vonë Torres reagoi në Twitterin zyrtar duke i falenderuar të gjithë për gatishmërinë dhe shqetësimin e treguar ndaj tij. Sulmuesi 32-vjecar tha se ishte thjesht një “rrëzim i frikshëm” dhe se shpresonte t’i rikthehej sa më shpejt fushës.

U rrëzua keq dhe mbeti pa ndjenja