UCL/ Fitore historike e Real Madrid ndaj Liverpool

Sport

Real Madrid kthehet në makthin e Liverpool. Kur kishin kaluar vetëm 8 muaj nga finalja e edicionit të kaluar, The Reds patën mundësi të përgjigjeshin, këtë herë në shtëpinë e tyre, në duelin e parë të raundit të 1/8-tave.

Mirëpo, Real Madrid tregoi edhe një herë tjetër se në Champions League transformohet tërësisht. Los Blancos fituan 5-2 në Anfield. Kjo ishte humbja më e thellë që Liverpool ka pësuar ndonjëherë në shtëpi në kompeticionin e Champions League. Jo vetëm kaq. Liverpool është bërë skuadra e parë në historinë e Champions League që kalon në avntazh 2-0 dhe në fund mposhtet me 3 gola diferencë.

Pavarësisht avantazhit të dyfishtë, në minutën e 4 dhe të 14-të, me anë të Darvin Nunez dhe Mohamed Salah, klubi anglez nuk e ruajti dot epërsinë.

Miqtë reaguan në minutën e 21, me anë të Vinicius Junior, i cili, në të 36-tën do të barazonte sfidën, duke përfituar edhe nga një gabim i portierit Alisson Becker. Vetëm 22 vjeç e 224 ditë, Vinicius Junior është bërë lojtari më i ri që shënon dygolësh në Anfield në një kompeticion europian, të paktën që nga viti 1966, atëherë kur Johan Cruyff e bënte një gjë të tillë vetëm në moshën 19 vieç e 233 ditë.

Për t’u rikthyer tek ndeshja, kur nga pjesa e dytë kishin kaluar vetëm 120 sekonda, Eder Militao shënoi edhe të 3-tin për Realin. Më pas, në të 55-tën, ishte radha e Karim Benzema për të tundur rrjetën për herë të 4. Francezi shënoi sërish në të 67-tën, në atë që ishte goli i 6-të i shënuar ndaj Liverpool përgjatë karrierës së tij.

Është pikërisht klubi anglez, ndaj të cilit, Topi i Artë ka realizuar më shumë gola, sesa ndaj çdo skuadre tjetër që është përballur në Champions League.

Me këtë rezultat, Real Madrid ka thyer edhe një tjetër rekord në Champions League. Duke filluar të paktën që nga sezoni 2003/04, Reali është skuadra e parë që shënon 5 gola në një ndeshje, me më pak se 10 gjuajtje në portë.

Akti i kthimit mes Real Madrid dhe Liverpool do luhet në 15 Mars në “Santiago Bernabeu”.