UCL, Grupi F, Real Madrid e kthen në festë ndaj Celtic; kualifikohet edhe Leipzig

Sport

Real Madrid nuk vuri asgjë në diskutim sa i përket vendit të parë të grupit F, pasi shkatërroi 5-1 Celtic-un në ‘Santiago Bernabeu’. Momenti i parë i rëndësishëm i takimit erdhi në minutën e 6, kur arbitrja Stephanie Frappart akordoi me të drejtë një 11-metërsh për madrilenët. Nga pika e bardhë nuk zhgënjeu Luka Modric. Në fakt, pjesa e parë e takimit pa të akordohesin në total 3 penallti. Rodrygo dyfishoi në minutën e 21 për vendasit, ndërkohë që Juranovic gaboi në përballjen me portierin Courtois. Pjesa e dytë pa shpërthimin e talenteve të ‘los blancos’, teksa në harkun e 20 minutave nga goli i tretë, tek i pesti, shënuan Marco Asensio, Vinicius Junior dhe Federico Valverde. Golin e nderit për Celtic e shënoi Jota, nga një goditje dënimi, me një realizim që vështirë se portugezi do të harrojë.

Në sfidën tjetër të grupit F, Shakhtar Donetsk dhe Leipzig diskutonin një biletë drejt fazës tjetër, por gjermanët dominuan përgjatë thuajse të gjithë takimit. I zakonshmi Christopher Nkunku shënoi në minutën e 10, duke i dhënë avantazhin të tijëve. Shakhtar-i provoi me disa kundërsulme të shpejta, por pa finalizuar saktë, ndërkohë që goli i dytë do të vinte në minutën e 50, kur Andre Silva shfrytëzoi kaosin e krijuar në zonën kundërshtare. Vendasit do të pretendonin një 11-metërsh me Lassina Traore, por arbitri Oliver u ndihmua nga sistemi ‘VAR’ për të vijuar lojën normalisht. Leipzig trefishoi avantazhin me talentin hungarez, Dominik Szoboszlai, ndërsa autogoli i Bonder, vulosi shifrat 4-0 në favor të gjermanëve. Kështu, edhe Leipzig ia del të zërë një vend me 16 më të mirëve të kontinentit, duke u renditur në vendin e dytë, me 12 pikë, 1 më pak se sa Real Madrid.

“Los blancos” në fazën tjetër mund të ndeshet me një mes Liverpool, Club Brugge, Inter, Frankfurt, Milan, Dortmund apo Paris SG. Ndërsa gjermanët e Leipzig mund të sfidojnë Napolin, Porton, Benfica, Man.City, Tottenham ose  Chelsea.