Valtteri Bottas vlerëson Leclerc, thotë se është shumë i fortë për moshën e tij

Sport

Charles Leclerc mori komplimente të panumërta pas triumfit të vështirë të arritur në garën e Monzas. Piloti monegask ishte protagonist edhe i një dueli të ashpër me Hamilton, që shumë e kritikuan, ndonëse për moshën e tij, Leclerc ia doli ta menaxhonte situatën me mirë se sa mendohej. Vetë Hamilton e komplimentoi ‘ferraristin’ për triumfin, ndërsa tashmë ka qenë radha e pilotit tjetër të Mercedes, Valtteri Bottas, që të lavdëronte paraqitjen e Leclerc. Finlandezi u shpreh se për moshën që ka, Leclerc ka treguar aftësi të jashtëzakonshme dhe garon si të kishte disa vite që është pjesë e ‘Formula 1’. Kjo e ka bërë që të mos ndihet inferior ndaj pilotëve të tjerë dhe të shprehet lirisht në pistë.

“Leclerc po garon vërtet mirë. Kur je në krye, vështirë të heqësh dorë kollaj nga dueli. Është vërtet bukur të shohësh pilotë kaq të rinj që garojnë kaq fort”.

Më pas Bottas foli edhe për çështjen e titullit kampion, teksa distanca e tij në rënditje me Hamilton kryesues është ulur në 63 pikë. Finlandezi u shpreh se ai mendon vetëm për të bërë sa më mirë në garë dhe se nuk fokusohet tek ajo çështje. Nëse do të ketë një shans, Bottas tha se do të përpiqet ta shfrytëzojë, por deri atëherë ai do të jetë i përqëndruar për të marrë rezultatet më të mira të mundshme garë pas gare.