Vdekja, taksat dhe golat e Cristiano Ronaldos me Portugalinë, janë prej 3 gjërave më të sigurta në jetë…

Sport

Vdekja, taksat dhe golat e Cristiano Ronaldos me Portugalinë, janë prej 3 gjërave më të sigurta në jetë. Në dy ndeshjet eliminatore të Euro 2024, CR7 është bërë edhe një herë tjetër protagonist me përfaqësuesn luzitane.

Pasi shënoi 2 herë ndaj Sllovakisë, sulmuesi ia doli ta bënte një gjë të tillë edhe ndaj Bosnje Hersegovinës në transfertë, në fitoren 5-0 të skuadrës së tij, tashmë të kualifikuar në Europianin e Gjermanisë.

Në këtë mënyrë, Ronaldo ka shkuar në kuotën e 127 golave me Portugalinë, duke thelluar kësisoj rekordin e tij, si lojtari që ka realizuar më tepër me një përfaqësuese në historinë e futbollit.

Pasi në Vjeshtën e 2020-tës, CR7 u bë lojtari i parë europian që arrin 100 gola me një kombëtare, në Shtator të 2021-shit, ish-ylli i Real Madrid u ngjit në vend të parë edhe në rang botëror në këtë aspekt, duke parakaluar rekordin që mbahej nga iraniani Ali Daei me 109 gola.

Me dygolëshin e realizuar ndaj Bosnjes, CR7 arriti në kuotën e 9 finalizimeve me Portugalinë përgjatë 2023-shit dhe këtë e ka bërë në 7 ndeshje të luajtura.

Më tej, përfshirë këtu edhe 31 finalizimet me Al-Nassr, ky ishte goli i 40-të i Ronaldos që nga Janari i këtij viti, duke shënuar më tepër sesa çdo lojtar tjetër përgjatë 2023-shit. 5 herë fituesi i Topit të Artë ka lanë pas vetes edhe një emër si Erling Haaland, që për momentin është i ndalur në kuotën e 39 golave.

Në karrierën e lavdishme të CR7, që pas 2010-tës, kjo është hera e 12-të që portugezi ka shënuar të paktën 40 gola brenda një viti kalendarik. Edhe pse 38 vjeç, Ronaldo vijon të performojë ende në nivele të larta.