Vidal: Bajern për të fituar Champions

Sport

1437047009vidal
Nis zyrtarisht Aventura e Arturo Vidal si futbollist i Bajernit të Mynihut, pasi të martën kreu me sukses vizitat mjekësore dhe firmosi kontratën që do ta lidhë me bavarezët për 4 vitet e ardhshëm. Janë bërë zyrtare edhe shifrat e operacionit, me Bajerni që do t’i paguajë Juventusit një shumë prej 37 milionë eurosh, plus 3 milionë bonuse. Kurse vetë mesfushori do të përfitojë rreth 7 milionë euro në sezon.
Ndërkohë që ka shprehur edhe fjalët e para si lojtar I kampionëve të Gjermanisë. “Për mua është ëndërr e realizuar. Jam gati të luaj që në Superkupën e Gjermanisë, këtë fundjavë. Dua të ndihmoj skuadrën të fitojë menjëherë trofe”, u shpreh Vidal.
I pyetur mbi arsyet përse u rikthye në Gjermani, kiliani deklaroi: “Desha të hedh një hap tjetër të madh në karrierën time. Kërkoj të zhvillohem si lojtar dhe të fitoj ende tituj, mbi të gjitha Champions League. Këtë mundësi e shoh më të realizueshme te Bajerni”.
28-vjeçari rikthehet pas 4 sezonesh në Bundesligë, por tifozëve bardhezi u ka premtuar se do të mbetet “juventin në shpirt”. Përsa i takon objektivave me bavarezët i ka idetë e qarta: “Veç Champions-it më mungon një titull kampion I Gjermanisë. Në kohën kur luaja me Leverkusenin nuk ia dola dot. Por besoj se do t’ia dal me Bajernin”, ka konfirmuar ish-lojtari i Juventusit, me të cilin shënoi 48 gola në 171 ndeshje.