Vinicius flet për aventurën e tij tek ‘los blancos’!

Sport

vinicius
Vinicius Jr. është padyshim një nga talentet më premtues në Europë dhe teksa është vetëm 18 vjeç, ka arritur të gjejë minuta prej titullari tek një klub gjigand si Real Madrid. Në një intervistë të dhënë për ‘El Larguero’ në Spanjë, braziliani ka zbuluar gjithçka rreth transferimit të tij tek Reali, dëshira për të bërë mirë me kombëtaren apo edhe çështjen e ‘Topit të Artë’. Vinicius thotë se interesi i klubeve europiane për të u rrit kur ishte 16-vjeç dhe luante me të rinjtë e kombëtares braziliane. Por babai i tij e kishte gënjyer kur i komunikonte se për të nuk kishte asnjë ofertë. Në fund, menaxheri i Vinicius i ka paraqitur lojtarit vetëm 2 propozime, ato të Real Madrid dhe të Barcelonës.

GettyImages 1074591506

Braziliani thotë se është mjaft i kënaqur me zgjedhjen e tij pasi tashmë është vetëm 18-vjeç dhe luan si titullar tek 13-herë kampionët e Europës. Pyetjes se cili lojtar e argëton më shumë, braziliani u përgjigj duke përmendur emrin e bashkëkombasit të tij tek PSG, Neymar, për të cilin refuzoi të bënte komente rreth një transferimi të mundshëm në Madrid. Vinicius nuk i shpëtoi as pyetjes se cilin do të zgjidhte mes Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit, duke thënë se preferonte portugezin prej faktit se është një legjendë e Real Madrid. Ndërsa tamam si një ‘madridista’, ai tha se kurrë nuk do shkonte tek Barcelona dhe se nuk është penduar për faktin që nuk luan krah Messit. Në fund, Vinicius u përgjigj edhe për çështjen e ‘Topit të Artë’, trofe të cilin ai dëshiron ta fitojë në moshën 25-vjeçare, kur mendon se do të jetë plotësisht i pjekur nga ana futbollistike.