Wenger mendon se Salah mund të jetë në nivelin e Messit, nëse nuk është egoist

Sport

Arsene Wenger lajmëroi pak ditë më parë se dëshironte shumë që të ishte në krye të një kombëtareje, që kërkon ta drejtojë në një botëror, por së fundmi, francezi ka folur gjatë edhe për kampionët e Europës për klube, Liverpool. Ish-trajneri i Arsenalit mendon se ‘të kuqtë’ kanë forcën e grupit si pikën e tyre më të fortë dhe për këtë natyrisht meritë ka edhe trajneri Jurgen Klopp. Wenger shtoi se Liverpooli ka lojtarë të nivelit të lartë edhe në stol, çfarë bën që rezultatet e skuadrës të mos jenë të varura vetëm nga formacioni bazë. 69-vjeçari u ndal në veçanti tek Mohamed Salah, që mbetet një nga lojtarët kryesorë tek ‘the reds’. Trajneri francez nuk i kurseu elozhet për Salah, duke thënë se egjiptiani është një nga ata lojtarë që mund ta zgjidhë i vetëm ndeshje, por për t’u krahasuar me emra si Lionel Messi, Wenger mendon se Salah duhet të bëjë disa ndryshime në lojën e tij. Sipas 69-vjeçarit, Salah ka nevojë të kuptojë se kur duhet të provojë goditjet personale dhe se kur është momenti për të pasuar të shokët e skuadrës.

Me pak fjalë, sulmuesi i Liverpool-it duhet të mësojë të jetë më pak egoist dhe të jetë më efektiv për bashkëlojtarët. Vetëm në këtë mënyrë, Wenger beson se rëndësia e Salah tek ‘the reds’ do të rritet akoma më shumë, çfarë sigurisht do ta vendoste gjithmonë edhe krah emrave si Lionel Messi. Salah së fundmi është kritikuar me doza të forta për egoizmin e shfaqur në këtë fillim sezoni, ndonëse trajneri Klopp e ka mbrojtur duke thënë se lojtari ka bërë atë çfarë i ka kërkuar vetë gjermani.