Sezoni po i drejtohet fundit, ja çështja që kërkon përgjigje në radhët e Real Madrid

Sport

Me sezonin që po i afrohet fundit, Dani Ceballos është një prej çështjeve që kërkon përgjigjë në radhët e Real Madrid. Mesfushori ka vetëm edhe disa muaj të vlefshëm në kontratën e tij, çka do të thotë, se në verë, mund të largohet me parametra zero nga “Santiago Bernabeu”.

Një situatë e tillë, po vëzhgohet nga klube të ndryshme, e veçanërisht në Premier League. Sikurse raportojnë mediat në ishull, është pikërisht Wolves që kërkon shërbimet e futbollistit në fjalë.

Përgjatë këtyre ditëve, Ceballos është duke diskutuar një rinovim të mundshëm me Realin dhe duhet thënë se palët janë besimplotë se gjithçka do të mbyllet me sukses. Mirëpo, sërish, një vend titullari për lojtarin parashikohet të jetë shumë i vështirë në formacionin e Los Blancos, të paktën në një të ardhme të afërt, duke marrë parasysh që në mesfushë, Luka Modriç, Toni Kroos, Aurelien Tchouameni, apo edhe Edouardo Camavinga, preferohen më tepër nga Carlo Ançelotti.

Sidoqoftë, Ceballos është optimist se momenti i tij do të vijë. Ai nuk preferon të heqë dorë dhe synon që karrierën ta ndërtojë me fanellën e bardhë.

Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e largimit, sepse në fund të fundit, lojtari, kërkon hapësirë dhe nuk dëshiron që të mbetet për një kohë të gjatë si rezervë në stol. Për këtë arsye, njëkohësisht, mesfushori është duke shqyrtuar edhe mundësinë e largimit.