Willian kërkon të mbyllë karrierën në nivele të larta

Sport

Willian do t’i japë fund aventurës së tij me skuadrën e Chelsea-t, teksa në fundin e këtij sezoni, brazilianit i skadon kontrata që e mban të lidhur me klubin londinez, duke e lënë të lirë si një nga objektivat më të dëshiruar në merkato. Pikërisht fakti se një lojtar i nivelit të lartë si Willian mund të transferohet me parametra zero, ka bërë që shumë skuadra të vihen pas tij. Chelsea është përpjekur herë pas here, t’i ndryshojë mendjen fantazistin duke i ofruar një rinovim të kontratës, por lojtarit nuk i janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara. Politikat e klubit londinez kanë bërë që futbollistëve mbi moshën 30 vjeç, të mos u ofrohet një rinovim kontrate më shumë se 2-vjeçare, teksa Willian ka kërkuar minimalisht 3 vite, për të hedhur firmën e tij. Agjenti i brazilianit është shprehur se ai dhe klienti i tij i kuptojnë dhe i respektojnë politikat e ‘bluve’ të Londrës, por Willian duhet të mendojë edhe për të ardhmen e tij. 31-vjeçari synon në fakt që ta mbyllë karrierën në nivele të larta dhe për këtë arsye kërkon një kontratë afatgjatë, me një klub që mund të përmbushë kushtet e tij financiare, si dhe ambiciet që ka lojtari për të fituar ende sa më shumë trofe. Willian kërkon me ngulm që ta mbyllë karrierën e tij në një skuadër të madhe, e për më tepër në një kampionat të madh, ndaj dhe për momentin braziliani duket se po merr kohë përpara se të marrë një vendim final. Ai është pjesë e Chelsea që prej vitit 2013, ku u transferua nga Anzhi për më shumë se 35 milionë euro. Prej atëhere, Willian numëron me fanellën e ‘bluve’ 99 gola të shënuar, si dhe 130 asiste për shokët e skuadrës.