XAVI HERNANDEZ, TRAJNERI I BARCELONËS:

Sport

“Ne jemi Barcelona. Duam ta dominojmë ndeshjen, të kemi kontrollin e topit dhe të luajmë në fushën e kundërshtarit. Kjo është historia e këtij klubi në vitet e fundit dhe këtë gjë nuk mund ta ndryshojmë. Këtë gjë duhet ta tregojmë sonte në fushën e lojës. Duhet të zhvillojmë të njëjtën lojë sikurse ndaj Bayern Munich, por me një tjetër rezultat. Kjo nuk është një ndeshje vendimtare, nuk është deçizive.

Nga ana tjetër, Interi është një skuadër e fortë në mbrojtje dhe me një system të ndryshëm loje nga skuadrat që jemi përballur deri më tani. Nga ana taktike, ata luajnë me dy sulmues dhe për këtë arsye mendoj se duhet të shtojmë forcat në mesfushë dhe në repartin e avancuar. Skuadra e drejtuar nga Inzaghi aplikon një lojë fizike dhe me mjaft vertikalizime. Nuk do jetë aspak e lehtë, megjithatë ne do përpiqemi të tregojmë personalitetin tonë. Sidoqoftë, nuk kam dyshim se kjo do jetë një ndeshje e madhe.

Po kalojmë një moment pozitiv dhe këtë duhet ta tregojmë edhe sonte kur të zbresim në fushë. Të fitosh ndeshje të tilla në transfertë, padyshim që do të thotë shumë, pasi pikë të tilla janë të çmuara. Do zbresim në fushë me synimin për të dhënë maksimumin dhe të tregojmë se mund të fitojmë edhe në transferta si këto.”