Xhaka reagon për kërkesën e Zvicrës: Rrënjët e mia janë në Kosovë!

Sport

xhaka
Vazhdon të shkaktojë debate të ashpra festa me shqiponjë e dy futbollistëve shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Pas gjobës së FIFA-s dhe vendimit të federatës helvetike (SFV) për të mos e lejuar më këtë simbol, vjen dhe ideja për të mos përfshirë në përfaqësuese lojtarët me dy shtetësi. Alex Miescher, Sekretar i Përgjithshëm i SFV, është shprehur: “A na duhen neve futbollistët me dy shtetësi në kombëtare?” Frazat e zyrtarit të federatës në referencë të qartë ndaj festës me shqiponjë në Botërorin e futbollit irrituan Granit Xhakën. Mesfushori i Zvicrës shprehu zhgënjimin për propozimin, që edhe pse në ide fillestare, ka ngjallur debat: “Miescher i ka zhgënjyer lojtarët aktualë dhe ata që do të vijnë.

xhaka shaqiri

Pas simbolit të shqiponjës, na siguroi mua dhe Shaqirin se do na mbronte, por ja çfarë ndodhi. Kuptoj nga fjalët e tij se nuk beson te futbollistët me dy shtetësi, por ne japim gjithçka për këtë fanelë”,- ka thënë Xhaka. Federata Zvicerane me shumë gjasë do të tërhiqet nga propozimi kontrovers: “Rrënjët e mia janë në Kosovë, ashtu siç janë për Embolo’ në Kamerun, për Akanxhi në Nigeri, apo Rodrigez në Kili dhe Spanjë. Madje, edhe trajneri Petkoviç ka dy shtetësi. Me këto komente, sekretari i federatës na ka zhgënjyer dhe na ka kthyer në Epokën e Gurit”,- shtoi Xhaka. Pas kritikave të ashpra, Federata Zvicerane e Futbollit ka thënë se nuk është kundër shtetësive të dyfishta të lojtarëve dhe ndien keqardhje për akuzat diskriminuese.