Zbulohet koha e rinovimit të Lautaro Martinez me Interin

Sport

Lautaro Martinez është i destinuar për t’u bërë symbol i Interit. Prej kohës flitet, se kapiteni zikaltër do të rinovojë me Interin dhe sinjalet kanë qenë pozitive nga të gjitha palët, teksa së fundmi është zbuluar një tjetër detaj.

Sipas informacioneve që përcillen nga mediat përtej detit, kontrata e Lautaros do të rinovohet zyrtarisht në ditët e para të Janarit të 2024-tës. Bëhet fjalë për një paketë, të vlefshme deri në vitin 2028, që në brendësi, krahasuar me të anishmen, do të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë.

Pasi të rinovojë, Lautaro do të përfitojë 7 milionë euro në sezon, diçka që do ta bënte atë lojtarin më të paguar të skuadrës së Interit dhe patjetër, një prej më të paguarve në Serie A.

Një rinovim i kontratës deri në 2028-tën, do të thoshte, se Lautaro, do të mbetet pjesë e Interit, për të paktën 10 sezone, duke u kthyer kësisoj, në një prej futbollistëve që kanë qëndruar më gjatë në historinë e skuadrës së Interit.

Për shkak të formës së tij të përkryer në fushën e lojës, disa sezone më parë, Lautaro ishte nën radarët e disa prej klubeve më me peshë të kontinentit, me listën që kryesohej nga Barcelona dhe zgjatej më tej nga Real Madrid, apo edhe më gjerë. Megjithatë, pavarësisht një periudhe të lëkundshme në merkato, asgjë e tillë nuk ndodhi. Lautaro rinovoi në Tetor të 2021-shin, duke mbyllur çdo diskutim rreth tij, e duke u përqendruar vetëm në ngjyrat zikaltër.

Këtë sezon, me shiritin e kapiteni në krahë, Lautaro është kthyer në liderin e padiskutueshëm të Interit. Në 19 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, argjentinasi ka shënuar 15 gola dhe ka shërbyer 3 asiste për shokët e skuadrës.