Zgjidhet zëvendësuesi i Mourinhos…

Sport

mourinh
Ole Gunnar Solskjaer është emri i përzgjedhur për të drejtuar Manchester United-in deri në fund të sezonit. Klubi i “Djajve të Kuq” njoftoi fillimisht angazhimin e tij mbrëmjen e së martës, por e fshiu lajmin nga web-site-i zyrtar për ta shtyrë zyrtarizimin ditën e mërkurë. Ashtu sikurse u raportua që në fillim, asistentët Michael Carrick dhe Nicky Butt nuk do të ndryshojnë status dhe zëvendësuesi i Jose Mourinhos do të jetë sërish një ish-lojtar që e njeh me pëllëmbë ambientin e Old Trafford. Norvegjezi Solskjaer, tashmë 45-vjecar ka një të kaluar me 11 sezone me “Djajetë e Kuq” dhe për tifozerinë ai është i paharrueshëm për faktin se u dha atyre emocionet e asaj finaleje në Camp Nou në 1999 kur goli i tij përmbysi Bayernin e Munich-ut në Champions League. Në fakt pikërisht me këtë gol u prezantua të martën në komunikatën për shtyp angazhimi i tij si trajner i përkohshëm.

GettyImages 495851574

“Solskjaer bëhet trajner, 20 sezone pas asaj triplete titujsh të fiksuar në Camp Nou” shkruhej në postimin që më pas u fshi. Sidoqoftë BBC, raportoi të mërkurën se gjithcka ishte konkrete dhe se Solskjaer do të vijë në Old Trafford me asistent Mike Phelanin. Ky i fundit është një emër i njohur për faktin se ka qenë asistent i Sir Alex Ferguson për 12 vite me radhë. Kështu Solskjaer mund të debutojë si trajner i United-it kundër Cardiffit, skuadër të cilën ai e drejtoi pa sukses 4 vite më parë. Në CV-në e tij norvegjezi ka një përvojë të kënaqshme me Molden që e ka drejtuar për 5 vite. Më parë ai ka qenë edhe trajner i skuadrës U-23 të United-it, ndërsa tanimë misioni për të zëvendësuar Jose Mourinhon duket jashtëzakonisht më i vështirë.