Këshilli Mbikëqyrës për politiken fiskale

Ekonomi

index40 1Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos që edhe këtë muaj të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 2.5%. Ndryshe nga tradita që ka patur Banka e Shqipërisë ku kreu i këshillit dilte në konferencë para mediave, guvernatorja në detyrë Elisabeta Gjoni është mjaftuar vetëm me nxjerrjen e deklaratës së bordit në faqen zyrtare të Bankës Qëndore. Në këtë deklaratë Banka e Shqipërisë i tërheq vëmendjen qeverisë lidhur me ndryshimet në taksa që ka bërë në fillim të këtij viti dhe ato që priten të bëhen në 2015-ën. Sipas bankës, ulja e shpenzimeve dhe ndryshimet në taksa janë shkaku kryesor që ka një kërkesë të ulët nga ana e blerësve dhe nuk ka investime të reja te bizneset, çka ka bërë që edhe politika monetare stimuluese e saj të mos jetë efektive. Vetëm gjatë këtij viti Banka Qëndore ka ulur 2 herë normën bazë të interesit me synim rritjen e konsumit. Politika fiskale vlerësohet se ka gjeneruar dhe do të vazhdojë të gjenerojë impulse frenuese në kërkesën agregate. Ne mbetemi të bindur se korrektimi fiskal është rruga e duhur. Ai i shërben forcimit të ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit, ul primet e rrezikut për financimin e sektorit privat, si dhe krijon më tepër hapësirë për një politikë monetare stimuluese. Paralelisht me këtë konstatim, Banka e Shqipërisë gjykon se ka vend për një ndjekje më të mirë të ritmikës së planifikuar të shpenzimeve buxhetore. Projeksionet tona makroekonomike, shpërndarja e tyre nëpër tremujorë dhe reagimi i politikës monetare, janë të kushtëzuara nga realizimi i planit të shpenzimeve buxhetore. Shmangiet e ndjeshme nga ky plan prodhojnë efekte të padëshirueshme në ekonomi dhe në tregjet financiare. Sa i përket rritjes ekonomike, banka vlerëson se pavarësisht një tremujori që rezultoi negativ, ekonomia do të shfaqë sërish rimëkëmbje. Tkurrja e ekonomisë u ndikua në masën më të madhe nga tkurrja e stimulit fiskal dhe nga kontributi negativ i eksporteve neto. Në anën tjetër, investimi dhe konsumi privat kanë dhënë kontribut pozitiv në rritje, në reflektim të përmirësimit të besimit në ekonomi dhe të lehtësimit të kushteve të kreditimit. Parashikimet tona dhe të dhënat paraprake flasin për një rritje ekonomike pozitive në tremujorin e tretë të vitit, të mbështetur nga rritja e kërkesës private. Për herë të parë gjatë këtij viti rritja e kredisë rezultoi pozitive, megjithatë banka vlerëson që ka rënë kërkesa për të marrë financime të reja.