Flasin mjekët shqiptarë që shkuan në Itali “Për ne gjithmonë është luftë, së bashku do ia dalim”

Aktualitet Botë/Rajon

Ekipi me 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria janë bërë kryefjala e medieve dhe e politikës përtej detit, por edhe nga qytetarët e shumtë italianë të cilët kanë vlerësuar solidaritetin dhe ndihmën e vendit tonë, në përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia. Gazeta e njohur italiane “La Stampa” ka zhvilluar intervista me mjekët dhe infermierë shqiptarë, të cilët dje kanë filluar edhe punën në spitalet italiane. Disa prej tyre kanë treguar eksperiencat e tyre.

Mjekët nga Shqipëria thonë se janë të vetëdijshëm që janë të rrezikuar më tepër nga të tjerët nga Covid-19, por se thonë se ky është misioni i profesionit të tyre, të shërojnë njerëz, në këtë rast ata me Koronavirus. Media italiane ka zhvilluar intervista me mjekët nga Shqipëria dhe ka cituar disa prej tyre.

Ornela Gela:“Unë kam studiuar në Itali, kam jetuar këtu dhe mendoj se kam lidhje më të forta me Italinë se të tjerët dhe sapo ma propozuan nxitova për të ardhur. Të dy prindërit e mi janë mjekë dhe nuk e kundërshtuan vendimin tim. Shpresoj se do të fitojmë dhe do të fitojmë. Le të shpresojmë”.

Alma Zelo: “Në fillim i thashë vetëm bashkëshortit tim dhe jo prindërve sepse kisha merak se do të shqetësoheshin dhe nuk do më linin të vija. Ata nuk e dinin derisa shkova në aeroport. Megjithatë tani kam mbështetjen e tyre. Unë pres të jap më të mirën time. Për momentin bëj teste tamponi për të zbuluar rastet me Covid-19 duke shpresuar që të rezultojnë negativ”

Doina Jano: “Gjithmonë kam dashur ta vizitojë Italinë. Fati donte që për herë të parë ta vizitoja pikërisht tani, për të ndihmuar njerëzit dhe mjekët italianë. Kjo eksperiencë do të jetë për mua edhe një përvojë profesionale”.