Klosi flet për rregullat në plazh “Kemi kërkuar të hiqen shezlonget, ajo që duam të ndërtojmë është…”

Aktualitet Botë/Rajon

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi tha se këtë sezon në vendin tonë do të kemi turistë të huaj, ndonëse do të jenë më pak në krahasim me vitin e kaluar.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinje dhe do të synojmë që në fund të majit të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne i garantojmë standard të higjienës. Po synojmë hapjen e parë në rajon”, u shpreh ai ndërsa nuk preferoi të japë një datë fikse se kur do të çelet sezoni turistik.

Klosi theksoi se për të shpëtuar vendin nga kriza do të përqendrohen te turizmi rajonal, ndërsa bëri një apel për qytetarët teksa po fliste për plazhet. “Kur flitet për dy shezlonge flitet për distancim nga familje në familje nuk kërkohet për njerëz që jetojnë së bashku. Kemi kërkuar që të mos mbajnë shezlong fare pasi konsiderohen si objekte që mund të mbajnë virus. Ajo që duam të ndërtojmë është se lufta kundër kësaj pandemie nuk mund të bëhet vetëm me rregulla që vendos shteti, nëse nuk kemi sensibilizim dhe qytetarët vetë nuk tregojnë përkujdesje”, theksoi socialisti.