Pianoja e Tefta Tashkos në Muzen Historik

Kulturë

cdc.jpg

Piano e Tefta Tashkos, një instrument i papërdorur prej vitesh, por dhe i lënë në harresë gjithashtu, tanimë ndodhet si një relike në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Ajo do të kalojë për restaurim dhe më pas, ashtu siç shprehet drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, pianoja nuk do të jetë thjesht një objekt dekorimi, por do të kthehet brenda parametrave operativ të një instrumenti muzikor.

Për drejtorin Labi jo vetëm fotot por dhe objektet luajnë një rol të rëndësishëm në Muze. Melsi Labi sqaron gjithashtu se ardhja e pianos në Muze është bërë i mundur pas negociatave të gjata me Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë ky instrument me vlera muzeale u zhvendos në bazë të rregullave nga lista e inventareve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Labi shton se me vendosjen e pianos së një sopranoje të madhe si Tefta Tashko, do t’u bëjmë të ditur publikut në tërësi që Shqipëria nuk ka pasur vetëm një histori lufte, por dhe një histori të zhvillimit të kulturës.

Me shumë dëshirë por dhe emocion e ka pritur zhvendosjen nga Liceu në Muze të pianos së nënës së tij, si dhe shndërrimin në objekt muzeal, dirigjenti i njohur Eno Koço. “Kjo piano është pjesë e historisë së familjes time, – thotë ai. Në fakt është piano e të dy prindërve. E kanë blerë gjatë kohës që ishin në Itali në vitin 1942”. Për dirigjentin e njohur nxjerrja e pianos nga harresa, restaurimi dhe ekspozimi i saj, merr shumë vlera pas kaq vitesh. Me këtë rast ai falenderon në mënyrë të veçantë drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, këmbëngulja e të cilit bëri të mundur rievidentimin e këtij objekti. Sipas Koços, kjo piano është përdorur fare pak nga Tefta Tashko, pasi ajo u sëmur rëndë dhe disa vite më pas, pikërisht në vitin 1947, u nda nga jeta. Eno Koço thotë gjithashtu se piano ka shkuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1953 dhe është përdorur deri në fillimet e viteve ’90. ( b.h/Shqiptarja.com )