Meta: Të miratojmë reformën e drejtësisë

Politikë

Ilir_metaa-780x439.jpg

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka kërkuar Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi të nisë menjëherë nga puna, për realizimin përfundimtar të kësaj reforme me ardhjen dhe të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Nga selia e kuvendit, Meta bëri apel për një lexim sa më objektiv e të paanshëm të draftit të Venecias, ndërkohë për ndasitë të konsultohemi me ekspertët e Euralius dhe Opdat.

“Të punojmë për qasje konsensuale për reformën në drejtësi. Të biem dakord për të hartuar një agjendë konkrete dhe kalendar të punimeve duke nisur nga ato çështje që na bashkojnë dhe janë të pakontestuara”, tha kryeparlamentari.

Sipas tij, komisioni duhet të nisë menjëherë nga puna për realizimin përfundimtar të reformës në drejtësi. “Nuk ka më asnjë arsye që të vonohemi në dakordësimin e tekstit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese. Ka pasur disa çështje ku janë shprehur mendime të ndryshme dhe mendoj që një lexim objektiv dhe i paanshëm i këtyre rekomandimeve na ndihmon për t’u dhënë zgjidhje gjithë këtyre çështjeve. Aty ku ka lexime të ndryshme, kemi Euralius dhe Opdat dhe me këta mund t’i bëjmë një lexim më objektiv çdo mendimi të Venecias”, deklaroi Meta.

Ai foli për takticizma politike dhe dha për këtë edhe sqarimin përkatës. “Nëse duam të krijojmë pretekste dhe alibi, apo takticizma politike, kjo nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Duhet të çojmë përpara këtë reformë në interes të vendit. Çdo lëvizje që zhvendos debatin me qëllim apo pa dashje nga fokusi kryesor që është reforma në drejtësi është takticizëm politik”, deklaroi ai.

Meta tha se nuk ka arsye për të munguar në reformën në drejtësi, por shtoi se nuk mund t’i imponohet askujt kjo pjesëmarrje. “Secili merr përgjegjësitë e veta”, tha ai.
Kreu i Kuvendit ripërsëriti kërkesën e forcës që drejton për hartimin e një agjendë konkrete dhe një kalendari politik veprimi për përfundimin e reformës. /Telegrafi/