Schroeder: Shqipëria ka nevojë për investime, me rëndësi krijimi i kushteve

Politikë

 

jujuujju

I pranishëm në Forumin Ekonomik Shqiptaro-Gjerman, kryeministri Rama ka deklaruar se marrëdhëniet tregtare e diplomatike mes dy vendeve kanë avancuar ndjeshëm. “Kemi një rritje të shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Rama, në prani edhe të ish-kancelarit gjerman Gerhard Schroeder.

Duke theksuar se “ardhja e tij në Shqipëri, por edhe ajo e kancelares Merkel dhe Ministrit të Jashtëm, Steinmeier, tregojnë rëndësinë që Gjermania i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë” dhe jo vetëm anasjelltas.

“Gjermania është angazhuar në një proces historik për rajonin. Samiti i Berlinit, që nisi me iniciativë të kancelares Merkel, mundësoi që për herë të parë liderët e rajonit të ulen në një tryezë jo për një sherr për të shkuarën, por për të diskutuar për të ardhmen e përbashkët, rrugët e përbashkëta të zhvillimit, gazsjellësit, korridoret e energjitikës, infrastrukturën dhe pa dyshim për shkëmbimet e reja mes të rinjve”, tha Rama.

“Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë dhe Shqipëri-Maqedoni janë provë se Gjermania është vendi që lidh fjalën me veprën”, ka vijuar ai.

Ai ka shtuar se për favorizimin e investimeve nga qeveria e tij “janë ndërmarrë reforma të thella strukturore, përfshirë atë të liberalizimit të tregut të energjisë”.

Sakaq, ish-kancelari Schroeder ka nënvizuar se “ka vijimësi në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë”.

“Shqipëria ka nevojë për investime private, ndaj është me rëndësi krijimi i kushteve”, ka thënë Schroeder.

Ai ka shtuar se “Gjermania është e angazhuar edhe për menaxhimin e çështjes së mbetjeve urbane dhe energjisë”. /albeu.com/